
Kuvendi i Komunës së Mitrovicës Veriore, në seancën e djeshme të rregullt, miratoi katër vendime të reja për ndryshimin e destinimit të tokës nga bujqësore në ndërtimore, anuloi vendimin për ndarjen e 1,500 eurove për Shoqatën “Shapa” dhe shqyrtoi çështjen e lokacionit të Teqesë së shkatërruar pranë “Tre Soliterëve”. Kryesuesi i kuvendit, Nedžad Ugljanin, tha se komuna i merr të gjitha vendimet në përputhje me ligjin dhe hodhi poshtë ashpër pretendimet për paligjshmëri. Njëkohësisht, ai kritikoi mediat që raportojnë në gjuhën serbe, duke i akuzuar ato për “dezinformata” dhe “propagandë mediatike”, ndërsa kritika të ngjashme adresoi edhe ndaj pushtetit të ardhshëm, i cili në zgjedhjet lokale të mbajtura pikërisht këtë muaj në Mitrovicën Veriore fitoi bindshëm.
Frikësohet ta dorëzojë komunën
Duke iu drejtuar asamblistëve – dhe nëse i besohet përkthimit, siç tha ai, të zakonshëm të dobët në serbisht – Ugljanin deklaroi se strukturat e mëparshme e kishin lënë komunën “në kaos dhe anarki”, duke shtuar se “frikësohet ta dorëzojë atë te pushteti i ri”.
“Sa i përket menaxhimit të komunës, ata janë në nivelin e parashkollorëve”, tha ai, duke iu referuar pikërisisht pushtetit të ardhshëm lokal.
Një koment të ngjashëm të Ugljaninit e ka regjistruar edhe gazeta prishtinase Koha, e cila në një artikull mbi dilemën e kryetarëve në largim në komunat veriore për dorëzimin e, siç u tha, dokumenteve të ndjeshme te serbët, citoi kryesuesin në largim të thoshte se “është e drejta e tij nëse do ta pranojë dorëzimin e dokumenteve të ndjeshme te pushteti i ri apo jo”.
“Ndryshimet e destinimit të tokës nuk janë të paligjshme”
Duke iu drejtuar mediave në gjuhën serbe, Ugljanin reagoi ndaj paralajmërimeve të disa subjekteve politike se, pas ardhjes në pushtet, do të anulojnë vendimet për ndryshimin e destinimit të tokës.
“A mendoni ju se ne po bëjmë diçka të paligjshme? Ata nuk e kuptojnë që ne nuk kemi të drejtë të ndryshojmë destinimin e tokës komunale nga momenti kur presidentja shpall zgjedhjet, por jo tokën bujqësore. Këto janë pretendime të pavërteta të opinionit publik”, tha ai.
Ugljanin pretendon se të gjitha vendimet janë marrë “në koordinim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal” dhe se “askush nuk mund të shfuqizojë diçka që është në përputhje me ligjin”.
Kryesuesi shtoi se në opinion “po përhapen dezinformata” për një të ashtuquajtur “zëvendësim gjeografik dhe etnik”, pa përmendur media konkrete, përveç pohimit se këto pretendime “vijnë kryesisht në gjuhën serbe”.
“E dimë si ka qenë përbërja etnike këtu para dhe pas luftës. Ju e dini sa shqiptarë ka pasur në pjesën veriore të Mitrovicës. Dhe askush nga ata ‘të ashtuquajturit’ që paraqiten përmes opinionit publik — a duan ata një mjedis etnikisht të pastër apo multietnik? A e dini sa njerëz janë dëbuar nga banesat e tyre dhe çfarë kanë kaluar në vitet 2000, 2001 dhe 2002?”, tha Ugljanin.
“Kërcënime ndaj këtij kuvendi dhe ndaj meje personalisht”
Ugljanin deklaroi se “dikush po kërcënon” se pas ndërrimit të pushtetit të gjitha vendimet e kuvendit do të anulohen, por ai pretendon se kjo nuk do të jetë e mundur sepse “Ministria do të kundërpërgjigjet me goditje ligjore”.
“Më së shumti kërcënime kanë ardhur ndaj meje si kryesues, ndaj asamblistëve dhe ndaj kryetarit të komunës. Nëse kemi bërë diçka të paligjshme, do të përgjigjemi para organeve kompetente, e jo para atyre që kanë vepruar në interes të grupeve kriminale”, tha ai, duke shtuar se “më herët më shumë vendosnin njerëzit nga organizatat kriminale sesa zyrtarët e komunës”.
“Nuk do të ketë një ‘Çacilend’ të ri”
Duke iu rikthyer rastit të “Çacilendit”, Ugljanin tha se “nuk do të ketë tenda para komunës”:
“Duhet të punoni sipas ligjeve të vetëqeverisjes lokale. Nëse doni të krijoni një Çacilend të ri, sigurisht që nuk do ta krijoni këtu. Nuk do të ketë tenda para kësaj komune — do të ketë ligj dhe rend, pavarësisht kush vjen në vendin tim apo në vendin e asamblistëve.”
“Bashkësia serbe ende jeton në frikë”
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Ugljanin tha se “ndryshimet janë të dukshme në terren” — nga investimet kapitale te rrugët e asfaltuara dhe donacionet nga Qeveria e Kosovës, BE-ja, UNMIK-u dhe organizatat e tjera.
“Ku kanë shkuar ato mjete më herët, këtë e dinë të gjithë qytetarët”, tha ai, duke shtuar se “frika vazhdon të jetë e pranishme te shumica serbe”.
Ai shtoi se “ne kemi dashur ta çlirojmë bashkësinë serbe nga barra dhe frika”, por se “frika në këtë bashkësi ende ekziston, ndërsa të tjerët po ecin në rrugën e tyre demokratike”.
“Tek unë dhe te asamblistët shqiptarë kjo frikë nuk ekziston. Ajo është e pranishme te serbët — që është një pasqyrë reale, por e trishtueshme”, përfundoi Ugljanin.
Preuzimanje i objavljivanje tekstova sa portala KoSSev nije dozvoljeno bez navođenja izvora. Hvala na poštovanju etike novinarske profesije.








