Kosjeriçi është një komunë ku së fundmi u mbajtën zgjedhjet lokale, e ku nuk shkoi gjithçka sipas planeve të Partisë Progresive Serbe. A është pikërisht për këtë arsye që në një vizitë kërcënuese ka qenë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq? Siç dëshmojnë dëshmitarët okularë, e siç thuhet në komunikatën e grupit të qytetarëve “Njerëz të pastër për një Kosjeriq të pastër”, ai ua ka përcjellë mesazhet e tij qytetarëve në një lokal, pak para tubimit të SNS-së këtë javë.
Sipas tyre, Milan Radoiçiq, në stilin e tij të zakonshëm, i ka thënë njërit prej pjesëmarrësve të tubimeve të mbështetjes për studentët në Kosjeriq dy ditë më parë:
“Ua përcill të tjerëve, të shtunën bëjmë shëtitje, do të jem i pranishëm dhe askujt s’duhet t’i bjerë asnjë fije floku, sepse jemi gati pa asnjë problem të vdesim për bindjet tona”.
Se njeriu në listën e Interpolit ka ardhur në Kosjeriq me një grup personash në disa xhipa, ka vizituar kafene, është takuar me zyrtarë lokalë, ndërkohë që ka frikësuar dhe ka kërcënuar, e dëshmojnë qytetarët e kësaj komune.
Pse pikërisht Kosjeriçi?
“Kosjeriçi është dukshëm gjemb në syrin e partisë në pushtet, sepse ata atje praktikisht kanë humbur. Mund të themi se kanë humbur – sepse siç ka thënë Vuçiq: ‘Gjithë të gjallët kanë votuar kundër nesh, e ne i kemi fituar ato zgjedhje’”, shpjegon Predrag Petroviq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.
Që është dashur të dërgohej dikush si Radoiçiq – është e qartë, sepse nuk pati efekt as asfaltimi i rrugëve lokale në Kosjeriq, që pushteti i Vuçiqit të fitonte mbështetjen e banorëve, e as frikësimet dhe blerja e votave më herët.
Siç thotë Petroviq, “rrahësit e zakonshëm nuk dhanë rezultatet e pritura”, prandaj kësaj here ishte i nevojshëm një lojtar “serioz”. Radoiçiq nuk është përgjegjës vetëm për rastin e Banjskës.
“Që nga përfshirja në krimin e organizuar, siç thuhet se është ‘biznesmen kontrovers’, por edhe i prirur ndaj dhunës. Gjithashtu ka përvojë ushtarake, ka marrë pjesë në luftën në Kosovë në vitin 1999. Dhe ajo që ndoshta e shqetëson më së shumti publikun – është përfshirja e tij në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, shton Petroviq.
Janjiq: Radoiçiq si operativ dhe fenomen më i fortë se Vuçiqi
Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dušan Janjiq, thekson se Radoiçiq është para së gjithash operativ, por edhe një person “më i fortë se Vuçiqi”.
“Radoiçiq vetë nuk është regjisor, ai është më shumë për logjistikë, operativ, shumë serioz, i shkolluar këtu dhe jashtë. Pra, ai është një fenomen, dhe fakti që ne nuk e kemi ditur këtë, nuk na arsyeton”, tha Janjiq.
Popullata është e frikësuar, por nuk duket e dekurajuar pasi Radoiçiq u ka porositur se nëse ka incidente – do të ketë kaos, e më pas do të pasojnë vizita nëpër shtëpi, sepse i kanë të gjitha të dhënat.
Ardhja e tij ka për qëllim të dërgojë mesazhin: “Ne jemi këtu”. Ndërkohë, Janjiq pret “lajmet e vërteta” nga SHBA-të, të cilat kanë të bëjnë me “parakushtet e reja dhe problemet e vjetra”.
“Aty Banjska ka marrë një kuptim të ri që, duket qartë, as Marko Djuriq e as këta të tjerët nuk e kanë kuptuar”, tha Janjiq.
E parakushtet janë tre raste – djegia e ambasadës, vëllezërit Bytyqi dhe Banjska.
Preuzimanje i objavljivanje tekstova sa portala KoSSev nije dozvoljeno bez navođenja izvora. Hvala na poštovanju etike novinarske profesije.








