
Kanalit Ibër–Lepenc në komunën e Zubin Potokut i është shkaktuar dëmtim gjatë ditëve të fundit, ka raportuar mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës. Bëhet fjalë për dëmtimin e një mbulese najloni që mbulonte gypat në këtë kanal, ndërsa shkaku dhe natyra e dëmtimit ende nuk dihen. Policia ka nisur hetimet.
Në raportin 24-orësh të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës njoftoi se dje ka hapur një rast për “Shkatërrim ose dëmtim të pasurisë” në komunën e Zubin Potokut lidhur me një incident të ndodhur ndërmjet 22 dhe 25 nëntorit.
Siç u tha më tej në njoftimin e shkurtër, është raportuar se persona të panjohur “kanë dëmtuar me mjete të mprehta një pjesë të kanalit Ibër–Lepenc”.
Rastin e ka raportuar, ka sqaruar për KoSSev në një bisedë të mëvonshme, toger Erduan Baljiqi nga Operativa Rajonale për rajonin e Veriut, një nga punëtorët në këtë kanal.
Ai ka vërejtur dëmtimin në mbulesën e najlonit.
“Ai ka vërejtur se kjo mbulesë najloni që mbulon gypat dhe që ndodhet brenda kanalit është dëmtuar, dhe na ka raportuar rastin,” tha Baljiqi.
Sipas punëtorit, shtoi ai, bëhet fjalë për një dëm me vlerë nga 3.000 deri në 4.000 euro.
Baljiqi, megjithatë, nuk ka mundur të saktësojë shkakun dhe natyrën e dëmtimit të kësaj mbulese najloni.
Nga ana tjetër, ai ka konfirmuar se dëmtimi nuk e ka penguar funksionimin e kanalit.
Nuk ka të dyshuar, por hetimet janë hapur, ka konfirmuar Baljiqi.
Diversion
Kujtojmë që të shtunën, më 29 nëntor, bëhet një vit i plotë që nga dëmtimi i këtij kanali – i cili shërben për furnizimin me ujë të disa qyteteve të Kosovës, si dhe për ftohjen e termocentraleve – me eksploziv, siç ishte konfirmuar atëherë.
Autoritetet kosovare, edhe pse kjo nuk është vërtetuar deri sot, që ditën e parë e kanë vlerësuar se bëhej fjalë për një “sulm terrorist”, duke drejtuar gishtin nga Beogradi.
Sipas të dhënave zyrtare, kanalit i ishte shkaktuar dëm i madh, ndërsa pasojat e rënda në infrastrukturë i kanë ndier familjet që jetojnë pranë tij.
Përveç shtëpive të përmbytura, furnizimi me ujë në mbarë Kosovën ishte ndërprerë, ndërsa funksionimi ishte pezulluar deri sa u kryen riparimet që zgjatën me ditë të tëra.
Lidhur me këtë diversion, të njëjtën ditë u arrestuan tetë persona, prej të cilëve dy mbetën në paraburgim.
Preuzimanje i objavljivanje tekstova sa portala KoSSev nije dozvoljeno bez navođenja izvora. Hvala na poštovanju etike novinarske profesije.








